Edicioni i tretë i garave ndërkombëtare për hifzin dhe leximin e Kur'anit fisnik në Tunizi kanë filluar dje me pjesëmarrjen e përfaqësuesit 24 vendeve të botës në qytetin Bardo të këtij vendi.
Agjencia Ndërkombëtare Kur'anore e Lajmeve (IKNA) duke cituar burimin informativ "Tap.info", njofton se edicioni i tretë i garave ndërkombëtare për hifzin dhe leximin e Kur'anit fisnik të Tunizisë të quajtura "Shejkh Muhamed bin Jelusha", kanë filluar dje në qytetin Bardo të këtij vendi dhe do të zhvillohen deri ditën e enjte. Në ceremoninë e hapjes së këtyre garave ishte i pranishëm edhe kryeministri i përkohshëm tunizian Ali Al-Arid i cili gjatë një fjalimi, organizimin e garave kur'anore e konsideroi si një rrugë për forcimin e marrëdhënieve mes myslimanëve, forcimin e ndjenjës vëllazërore mes myslimanëve si dhe inkurajimin e të rinjve për mësimin e Kur'anit fisnik. Sa më shumë që të rritet përkushtimi ndaj mësimeve të vërteta islame, të rinjtë aq më shumë do të largohen nga animi i mendimeve ekstremiste të cilat po përhapen nga disa grupe. Në këtë ceremoni gjithashtu ka folur edhe Nuredin Khademi, ministër tunizian për çështje islame. Ai tha se këto gara janë organizuar në kuadër të programeve të qeverisë tuniziane për shtimin e aktiviteteve kur'anore, rritjen e numrit të hafizëve të Kur'anit fisnik si dhe për themelimin e "Shkollës së Lartë Kur'anore të Tunizisë" e cila do të hapet në një të ardhme të afërt. Ceremonia e hapjes së edicionit të tretë të garave ndërkombëtare të Kur'anit në Tunizi është zhvilluar në prani të myftiut, ministrit të çështjeve sociale, kryetarit të Këshillit të Lartë Islamik të Tunizisë, kryetarit të Unionit të Shoqatave Kur'anore të Tunizit, ambasadorëve të shteteve islame si dhe të profesorëve të universitetit "Al-Zejtune" të këtij vendi. Vlen të theksohet se në këto gara do të konkurrojnë përfaqësuesit e 24 vendeve si të Iranit, Tunizisë, Egjiptit, Palestinës, Turqisë, Nigerit, Indonezisë, Katarit, Rusisë, Marokut dhe vendeve të tjera. Mahdi Shajek dhe Muhamed Muhamedit Hakgujan, lexues dhe hafiz të Kur'anit fisnik do ta përfaqësojnë Republikën Islamike të Iranit në këtë aktivitet kur'anor në Tunizi. 1277496